Secondary Adv

Ibrahimaj: Nuk ka rritje te pergjithshme te cmimit te bukes

Rritja e kostove te prodhuesit për shkak të mungesës së fuqisë punëtore, por edhe shtrenjtimit të lëndëve të para, po reflekton rritje çmimesh për shumë produkte ushqimore.

 

Nga mungesa e fuqisë punëtore janë prekur edhe furrat e bukës. Problematika po shfaqet më e mprehtë në rrethe ku shpopullimi është më i madh. Një furrë buke në Berat njoftoi se nga 1 prilli çmimi i bukës masive do të rritet 10 deri 20%, pasi janë shtrenjtuar kostot nga rritja e pagave.

 

Ministrja e financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj tha se këtë vit për të monitoruar problematikën e çmimeve do të ngrihet institucioni përgjegjës në varësi të Financave që do monitorojë konkurrencën e çmimeve në sektorë të ndryshëm. 

 

Për sa i përket çmimit të bukës  Ibrahimaj theksoi se nuk rezulton deri tani rritje e përgjithshme të çmimit. “Nuk ka një institucion që ka përgjegjës për monitorimin e çmimeve të tregut.

 

Në vazhdimësi kemi krijuar task forca që kanë pasur detyrë specifike monitorimin e çmimeve të tregut.

 

Gjatë 2022 në bashkëpunim edhe me rekomandimet e BE-së, kemi menduar të krijojmë një institucion që do jetë përgjegjës për monitorimin e konkurrencës që lidhet me çmimet në sektorë të ndryshëm.

 

Në 2023 do të punojmë për krijimin e këtij institucioni, sepse është shumë e nevojshme. Sesa realisht janë rritur çmimet, këtë do ta shohim kur të dalin shifrat e inflacionit.

 

Në dijeni tonë nuk ka pasur një rritje të përgjithshme të rritjes së çmimit të bukës, megjithatë ne politikat i hartojë dhe masat i marrin në bazë të statistikave zyrtare”.

 

Sakaq problematika me mungesën e fuqisë punëtore te prodhuesit e bukës u theksua më herët edhe nga Kryetari i shoqatës së Prodhuesve të Bukës, Pastiçerive dhe Brumërave Gëzim Peshkopia.

 

Ndërsa për rritjen e çmimeve ai tha se rezulton të jetë individuale, ndërsa shtoi se nuk ka shtrenjtim të bukës masive në të gjithë tregun.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/ibrahimaj-nuk-ka-rritje-te-pergjithshme-te-cmimit-te-bukes-kete-vit-konkurrenca-e-cmimeve-do-te-monitorohet-edhe-nga-financat/


Më të lexuarat